“Mora përsipër krimin të shpëtoja vëllanë!” Çfarë tregoi 19-vjeçarja pas zbulimit të vrasjes së Pëllumb Metës

Durrës- Hygerta Meta është 19 vjeç. Kishte fituar të drejtën e studimit në Fakultetin e Gjuhëve  të Huaja në Tiranë ku dhe po i vijonte. Nuk donte që ëndrra t’i  ndërpritej në mes ashtu si motrës së saj të madhe.

Nuk donte as të kishte një martesë ‘pa dëshirë’ me një person që nuk e njihte si motra e saj, por duket që kishte hasur në refuzimin kategorik të të atit, Pëllumb Meta i cili po organizonte dhe fejesën e saj pa dëshirë me djalin emigrant në Itali.

Vajza ka dëshuar për grupin hetimor se e motra e madhe kishte humbur shkollën pasi babai e martoi pa dëshirën e saj. Ajo do të mbaronte shkollën dhe më pas do ta gjente vetë dikë.

Policia dyshon se fejesa pa dëshirë është pika e fundit që i ka vënë kapakun pasi dyshohet se brenda në familje ka pasur konflikte të vazhdueshme dhe dhunë. Këtë version, se Pëllumb Meta ishte i dhunshëm, kanë dhënë dhe djemtë dhe bashkëshortja e tij Blerina Meta.

Policia thotë se Hygerta bashkë me vëllanë e madh, Hysenin i cili ka qenë dhe ekzekutori kanë kryer planin e vrasjes. Fillimisht ajo i deklaroi policisë se ishte vetë ajo që e kishte kryer krimin madje se nuk ishte penduar përkundrazi.

Por pas zbulimit të krimit ajo ka dëshmuar: E mora përsipër të gjithë krimin për të shpëtuar vëllain tim.

Dëshmia e djeshme

“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që e kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje.

Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim.Kur mori vendimin për martesën time, aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë’ mësohet të ketë thënë” ka thënë ajo dje në dëshminë e saj./albeu.com


Shtuar 24.02.2024 10:32