Rezerva valutore ka vijuar rritjen në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, vlera e mjeteve të rezervës arriti në 6 miliardë e 727 milionë euro, në rritje me 7.4% krahasuar me fundin e vitit 2024 dhe me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në një masë të madhe, rritja e rezervës valutore u ndikua nga emetimi i Eurobondit të radhës të Qeverisë shqiptare në muajin shkurt, për një vlerë totale prej 650 milionë eurosh.
Megjithatë, rritja e rezervës ka vijuar edhe në tremujorin e dytë të vitit. Ndikim të konsiderueshëm, veç të tjerash, vlerësohet të kenë edhe blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor.
Duke parë vazhdimin e presioneve të forta mbiçmuese për monedhën vendase, Banka Qendrore ka vazhduar edhe këtë vit blerjen e valutës, për të mos lejuar rënien e mëtejshme të kursit Euro-Lek.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka vijuar edhe programin e ankandeve të planifikuara, pikërisht me qëllim rritjen e rezervës së saj valutore. Në tre ankandet e zhvilluara gjatë tremujorit të parë 2025, janë blerë 33.2 milionë euro me një mesatare 11.07 milionë euro, kundrejt mesatares prej 14.2 milionë euro gjatë vitit 2024.
Shuma e blerë ka qenë e ngjashme me shumën e blerë në të njëjtën periudhë të një viti më parë (32.6 milionë euro), duke treguar, sipas Bankës së Shqipërisë, se pjesëmarrja relativisht më e ulët e bankave lidhet me faktorë sezonalë.
Megjithëse të dhënat nuk janë ende të disponueshme, besohet se shumat e blera në tregun e brendshëm valutor janë rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Banka e Shqipërisë synon të blejë këtë vit përmes ankandeve 270-350 milionë euro, ose 20 milionë euro më shumë krahasuar me objektivin e vitit 2024, si në intervalin e poshtëm, ashtu edhe në atë të sipërm. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Blerjet e valutës arritën vlerën më të lartë historike dhe u rritën me 249% krahasuar me një vit më parë.
Në mesin e këtij viti, titujt e borxhit përbënin 73% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 18% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend. /Monitor.al