Mister në Meksikë, gjenden 45 çanta me mbetje njerëzore

Rreth 45 çanta me mbetje njerëzore janë gjetur në një luginë në shtetin meksikan perëndimor të Jaliscos, gjatë një operacion-kërkimi të policisë për shtatë të rinj dhe gra që rezultojnë të zhdukur prej 10 ditësh.

“Janë gjetur dyzet e pesë çanta me mbetje njerëzore,” tha zyra e prokurorit të shtetit në një deklaratë për shtyp.

Çanta e parë u gjet të martën, por për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së dritës së diellit, hetimi rifilloi të mërkurën dhe do të vazhdojë deri në gjetjen e të gjitha mbetjeve, thanë zyrtarët.

Zyrtarët thanë se do të vazhdojnë të punojnë për të përcaktuar numrin e saktë të trupave të vdekur dhe shkaqet e vdekjes së tyre.

Edhe pse nuk është përcaktuar ende se si trupat kanë përfunduar në atë luginë, krimi i zhdukjes së personave është i zakonshëm në Meksikë. Mbi 100,000 njerëz konsiderohen të zhdukur sipas të dhënave në Meksikë, shumica e të cilave ishin viktima të krimit të organizuar./albeu.com/


Shtuar 2.06.2023 07:50