Miratimi i propozimit francez, Berisha: Përshëndesim Maqedoninë e Veriut për vendimin e guximshëm dhe historik

Ish-kryeministri Sali Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar pas vendimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për miratimin e propozimit francez.

Berisha ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut dhe shkruan se ishte një vendim i rëndësishëm dhe historik.

Më tej ai shkruan se Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE.

Postimi i Berishës:

Lidhur me votimin e propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut!

Të dashur miq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës që i hap rrugën çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Me këtë rast Partia Demokratike e Shqipërisë përgëzon Parlamentin e vendit fqinj, dhe përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona.

Hapja e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE.

Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët. sb.

Më poshtë mund të gjeni shtatë pikat nga ky propozim:

1. Duke përsëritur konkluzionet e tij të datës 14 dhjetor 2021, Këshilli mirëpret vendosmërinë e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të vazhduar agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe për të ofruar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.

2. Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe në mirëbesim, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.

3. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret marrëveshjen për protokollin e takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të formuar sipas nenit 12 të kësaj Marrëveshjeje. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit, si dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit.

4. Gjithashtu, do të mundësojë forcimin e të drejtave të barabarta të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve në Maqedoninë e Veriut dhe si të tilla do të kontribuojnë në pajtueshmëri me kriteret politike të Kopenhagës. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut për t’i filluar me prioritet ndryshimeve në amendamentet përkatëse kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e kombeve të tjera, si p.sh bullgarët.

5. Marrë parasysh progresin dhe harmonizimin e papenguar në të gjitha zonat e identifikuara nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli vendosi të miratojë Kornizën e Negocimit dhe, në përputhje me Metodologjinë e Përmirësuar dhe vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të marrë më 25 mars 2020, për të mbajtur konferencën politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për të paraqitur hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit, pas miratimit të Kornizës së Negocimit, siç përshkruhet në “Deklaratën hyrëse të BE-së”.

6. Për të përfunduar këtë fazë të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me qëllim që të prezantoj Kornizën Negociuese dhe gjendjen aktuale të punëve përgatitore të kryera nga Komisioni dhe është gati ta mbajë pa vonesa të mëtejshme ose vendime të mëtejshme politike, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin e saj për amendamentet kushtetuese të sipërpërmendura, në përputhje me procedurat e brendshme të saj.

7. Në këtë drejtim, Këshilli vëren se Komisioni ka bërë përparim në të punën e tij për zbatimin dhe përfundimin e procesit të shqyrtimit analitik të ligjit të BE-së (acquis) dhe është i gatshëm të prezantojë menjëherë rezultatet e Maqedonisë së Veriut. Bazuar në këtë, Këshilli fton Komisionin që të vazhdojë të vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha të caktuara dhe për të identifikuar çështjet që ka të ngjarë të shfaqen në negociata, duke filluar nga grupi themelor, vlera, të cilat, në përputhje me Kornizën Negociuese, do të hapen pasi Maqedonia e Veriut do të përmbushë kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli.