Ministri rus: Mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova po rekrutohen për luftën në Donbass

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka bërë një deklaratë të papritur për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës duke thënë se ata po rekrutohen për luftën në Donbass. Ai thotë se Ballkani Perëndimor është terren për krimin ku ka terroristë dhe trafikantë droge.

Sipas tij siç transmeton Sputnik News, mercenarët nga Ballkani do të përdoren për të nxjerrë jashtë ekuilibri Rusinë. Lavrov theksoi se këto informacione po rishikohen për të dalë në një përfundim.

“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen një terren për krimin. Ka terroristë dhe trafikantë droge. Është një terren rekrutimi për mercenarët që marrin pjesë në konflikte të cilat po nxiten gradualisht, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë. Ne po e rishikojmë këtë informacion tani”, tha ministri i Jashtëm.

Sipas Sputnik Moska i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit që të zbatojë marrëveshjet e Minskut e nënshkruar në Bjellorusi në shkurt të vitit 2015. /abcnews.al


Shtuar 18.02.2022 13:57