Gjatë një interviste televizive, gjuhëtarja Mimoza Gjokutaj, shprehet se punën si mësuese e nisi me të vegjlit e klasës së parë në Lezhë, rrugën e saj më shumë se 45-vjeçare në arsim.
Më tej, vijoi punën me nxënës, studentë dhe mësues duke i trajnuar, por gjithashtu duke dhënë kontributin e saj në kërkimin shkencor si dhe shkrimin e teksteve shkollore.
Sot edhe pse në moshë pensioni, ajo shprehet se mësimdhënia është një mision dhe udhëtimi drejt dijes nuk mbaron kurrë.
“I gjithë rrugëtimi im në fushën e arsimit ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm, drejt dijes, drejt diellit do thoja unë. Puna e mësuesit është e tillë, që të mëson çdo ditë por ka edhe përgjegjësi sepse duhet ta pasurosh veten çdo ditë me informacion. Nuk mund të jesh individualist, nuk arrin sukses në këtë mënyrë, kërkon vullnet dhe pasion”, tha gjuhëtarja Mimoza Gjokutaj
Por cilat janë sfidat me të cilat përballet sot sistemi arsimor, a ka një kontradiktë midis mënyrës se si nxënësit i marrin dijet dhe përshtatjes së mësuesve me këto metoda?
“Unë e kam prekur arsimin në çdo nivel dhe ndryshimet janë të dukshme, duke e nisur që tek nxënësit, tek mësuesit, shkollat etj. Sistemi duhet të jetë pak më i hapur në këtë drejtim, mësuesit duhet të kenë më shumë hapësirë për të ecur më shpejt, nuk mjafton vetëm universiteti, varet dhe nga dëshira e mësuesit për të përvetësuar metodat e reja”, shtoi Gjokutaj.
Profesioni i mësuesit është i nderuar, është mision që të mbush me jetë, shkolla sot të tregon se çfarë do të ketë shoqëria pas 10 vjetësh.
Kështu shprehet Mimoza Gjokutaj, duke nënvizuar se pavarësisht vështirësive, nëse ka vullnet së pari nga mësuesit, e ardhmja do të jetë më e sigurt.