Milaim Zeka sulmon Albin Kurtin dhe i bën thirrje Ramës: Do vij të vaksinohem!

“Unë me familjen time i pari do të vija dhe të vaksinohesha në Shqipëri…”

Analisti nga Kosova, Milaim Zeka e ka konsideruar të turpshme dhe skandaloze veprimin e Kryeministrit Albin Kurti për refuzimin e vaksinave nga Shqipëria për qytetarët e Kosovës. I ftuar në ‘Top Talk’ në ‘Top Channel’, Zeka ka thënë se e vetmja shpresë e qytetarëve nga Kosova ka qënë Tirana dhe se është e dhimbshme që u ndaluan vaksinimet.

Milaim në fjalën e tij, gjithashtu i ka bërë thirrje Kryeministrit shqiptar Edi Rama që të hapë disa vende në Kukës ku të vijnë njerëz nga Kosova dhe të mund të vaksinohen. Ai ka thënë se do të ishte i pari së bashku me familjen e tij që do të vaksinohej.

“Kjo është e dhimbshme sepse e vetmja zgjidhje e problemit është vaksinimi. Nuk mund të vazhdojmë të jemi të mbyllur. Deri me datën 18 jemi të mbyllur totalisht. Kjo nuk ndihmon në mënyrë absolute. E vetmja shpresë e jona ka qenë Tirana, Shqipëria, por unë nuk po e kuptoj vendimin skandaloz të kryeministrit Kurti.

Jemi shoqëri e çmendur këtej dhe andej. Merr shembullin e vaksinave dhe të bllokimit të aeroportit të Rinasit. Ne jemi për librin e Guiness për punë të çmendurive. Ku ndodh në botë? Të gjithë ata njerëz për qëllimet e tyre politike, jo për punën e pagave, me pandeminë, në të gjithë botën janë ulur pagat, e gjithë bota po ballafaqohet me problemin më të madh. Është një krizë totale, në Shqipëri mbyllet aeroporti për shkaqe politike.

Mirë do të ishte që Edi Rama të vendosë disa vende ku ne mund të vaksinohemi në Kukës. Atëherë do të shihni reagimin e vërtetë të qytetarit të Republikës së Kosovës që nuk pyet qeverinë. Unë me familjen time i pari do të vija dhe të vaksinohesha andej”, tha Zeka.


Shtuar 9.04.2021 18:30