Mijëra euro të falsifikuara në shtëpi, dy të arrestuar në Vlorë

Policia e Vlorës ka arrestuar 3 persona mes të cilëve dy ishin shpallur në kërkim.

Sipas uniformave blu mësohet se në kuadër të këtij aksioni është kapur A. O., 49 vjeç banues në Himarë dhe R. O., 22 vjeç banues në Delvinë, të cilëve u është gjetur në banesat e tyre 4800 euro të dyshuara të falsifikuara,.

Gjithashtu është bërë ndalimi i ndalimi i shtetasit në kërkim  A. T., 22 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 03.04.2021 i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale ‘’Vjedhja”.

Njoftimi i plotë:

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Goditet një rast i falsifikimit të monedhave, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Vihen në pranga dhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale, 2 prej tyre të shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin kartëmonedha të falsifikuara, organizuan punën për kapjen e tyre. Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit A. O., 49 vjeç banues në Himarë dhe R. O., 22 vjeç banues në Delvinë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në fshatin Piqerras, Himarë, gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e tyre, iu gjetën 4800 euro të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit A. D., 28 vjeç, banues në Vlorë, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim  A. T., 22 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 03.04.2021 i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale ‘’Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 30 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, një dorezë metalike dhe fitil zjarrpërcjellës.


Shtuar 9.04.2021 10:16