Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sërish ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, duke refuzuar propozimin e fundit të Artan Grubit të BDI-së, që fillimisht të votohen amendamentet kushtetuese, e më pas të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
Mickoski thotë se qëndrimi i partisë së tij është parimor, sepse sipas tij, ata as nuk morën pjesë në negociatat për propozimin francez dhe as nuk morën përsipër ta përmbushin atë.
“Tani VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme pa qeveri teknike. Prandaj kam një kundërpropozim për ta, të shkojmë në zgjedhje dhe secila parti politike të ofrojë zgjidhje për problemin në të cilin e kanë zhytur Maqedoninë”, thotë Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
LSDM theksoi se Mickoski sërish dështoi duke manipuluar dhe mashtruar se do të siguroj shumicë të re dhe se do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Mickoski nuk ka 61 deputetë, por kemi një shumicë parlamentare të përforcuar dhe të shtuar. Mickoski tha se zgjedhjet e parakohshme do të mbaheshin në maj. Sigurisht që ndodhi e kundërta. Zgjedhje të parakohshme nuk ka, Mickoski edhe një herë kapitulloi dhe kjo temë tashmë është mbyllur. Pas kapitullimit me zgjedhjet e parakohshme, Mickoskin e pret disfatë në zgjedhjet e vitit 2024”, thonë nga LSDM./ina