Meta: Jam i sigurt që do të kem një mandat të dytë si President

Presidenti Ilir Meta deklaroi mbrëmjen e sotme në “ABC” se detyrën e tij e ka bërë në mënyrë të shkëlqyer, por rizgjedhjen do ta pranonte vetëm nëse në 25 Prill në Shqipëri do të kishte ndryshim të shumicës.

“Së pari nuk e kam pasur synim as këtë mandat, në fund të të cilit jam. E kam marrë që u krijua një krizë, ajo e çadrës, që bëra të gjitha përpjekjet për ta përfshirë opozitën për ta zgjidhur atë krizë. Dihet si ecën ato zhvillime dhe u detyrova ta pranoja. Edi Rama më propozoi duke thënë se më të mirë për të mbrojtur opozitën nuk kishim se ku gjenim dhe ai nuk gaboi në ato parashikimet e veta dhe unë kam mbrojtur pikërisht opozitën, jo PD-në, por opozitën si garante të demokracisë dhe e kam mbrojtur shumë herë më mirë se përfaqësuesit e opozitës për të ndihmuar Shqipërinë të mos humbiste këto shanse.

25 Prilli unë e kam bërë detyrën time shkëlqyer dhe këtë e them tani ku duket qartë se çfarë kanë përfaqësuar disa aktorë tjerë që nuk ishin shumë të qartë. Nëse do të kishim një ndryshim në Shqipëri, mund të pranoja një mandat të dytë me objektivin që të bëheshin disa ndryshime që institucioni i presidentit në të ardhmen të kishte më shumë instrumente për të mbrojtur shtetin sepse kam qenë presidenti me më pak kompetenca dhe që është tradhtuar nga opozita e vendit të tij, lidershipi me dashje dhe jam nxjerrë në pritë si president” tha ai.

Presidenti foli për një plan për shkarkimin e tij që përpara zgjedhjeve të 25 Prillit. “Planet për shkarkimin e Ilir Metës ka qenë përpara 25 Prillit. Ishte vendosmëria ime që pengoi pushtimin e Kushtetueses. Mbi të gjitha bëri të mundur që Shqipëria sot të ketë një parlament më pluralist se ajo që pati në historinë e saj” tha ai.

Një mandat të dytë në krye të shtetit, ai tha se nuk e mendon tani, por është i sigurt pas 20 vitesh.

“Jam i sigurt që do të kem një mandat të dytë, por nuk e besoj kurrë përpara 20 vitesh. Unë do të bëj detyrën time deri në 24 Korrik me përgjegjësi maksimale. 25 Prilli ishte një greminë për Shqipërinë. Tani të gjithë janë të qartë për lojën, asgjësimin e pluralizmit politik në Shqipëri” deklaroi Meta.


Shtuar 2.12.2021 22:24