Meta dënon vrasjen e policit: Autori i krimit të dënohet ashpër

Presidenti i republikës, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me vrasjen e ndodhur paraditen e kësaj të marte në qytetin e Lezhës.

Meta ka dënuar me ashpërsi sulmin ndaj efektivit të policisë dhe i ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të viktimës.

Presidenti apelon të gjitha institucionet shtetërore të marrin hapat e nevojshëm dhe të çojnë para përgjegjësisë autorët e krimit.

Sipas Metës, trafiku i lëndëve narkotike dhe krimi i organizuar e kanë dëmtuar shumë imazhin e vendit tonë në botë.

Postimi i Metës:

Thellësisht i tronditur nga ngjarja tepër e rëndë e vrasjes, në krye të detyrës, të zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, gjatë një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Lezhës.

Në këto momente të vështira bashkëndaj dhembjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit!

Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor.

Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!/albeu.com