Më 21 shtator, Jeton Sylaj i dërgoi ish-bashkëshortes së tij, Arlinda Zekajt, një mesazh në WhatsApp, të cilin ajo e pa si paralajmërim. Prokurori kujdestar Argzon Hasi kërkoi që rasti të trajtohej përmes një shënimi zyrtar. Këto të dhëna përmbahen në raportin e koordinatorit nacional për dhunën në familje pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Sipas raportit të koordinatorit nacional, prokurorit Ersan Qavolli, Arlinda Zekaj u paraqit më 21 shtator në nënstacionin policor në Vitomiricë. Ajo tregoi se nuk mund të hynte në banesën e përbashkët, megjithëse gjykata kishte urdhëruar Jeton Sylajn ta lejonte të kthehej. Zekaj tha gjithashtu se Sylaj kishte udhëtuar drejt Amerikës pa i treguar se kujt ia kishte lënë djalin.
Të lidhura
None found
Në raport thuhet se Zekaj kishte deklaruar se, më 21.09.2026, Sylaj i kishte shkruar në WhatsApp: “Kij kujdes, ki urdhër mbrojtës, mos thuaj çka u ba”.
Ajo kishte pohuar se mesazhet e ish-bashkëshortit i përjetonte si kërcënime dhe se kishte frikë se ai mund të hakmerrej. “Në deklarimin e saj Arlinda kishte potencuar se bashkëshorti i saj i dërgonte mesazhe të cilat përbëjnë paralajmërim dhe se kishte frikë nga mundësia e hakmarrjes”, thuhet në raport.
Hetuesi policor Sead Hamzic e kontaktoi prokurorin kujdestar Argzon Hasi, i cili udhëzoi që rasti të regjistrohej me shënim zyrtar. Arlindës iu tha të paraqitej të nesërmen në Qendrën për Punë Sociale.
Në deklaratën e saj, Zekaj kishte thënë edhe se Policia nuk e kishte kontaktuar për zbatimin e urdhrit mbrojtës të datës 7 shtator. “Sipas deklaratës së viktimës, e njëjta deklaron se Policia asnjëherë nuk e kishte kontaktuar të njëjtën për ekzekutimin e urdhrit mbrojtës”, citohet në raport.
Më 22 shtator, me udhëzim të prokurorëve Argzon Hasi dhe Suada Hamza, ndaj Jeton Sylajt u hap rasti 2026-DA-1274. Hetimet lidhen me veprat penale “Mospërfillje e urdhrit të gjykatës” dhe “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”. Nga Qendra për Punë Sociale konstatuan se Sylaj ishte larguar për në SHBA më 5 shtator dhe djalin ia kishte lënë vëllait të tij.
Koordinatori nacional nuk ka mundur të përcaktojë nëse rasti kishte përfunduar ndonjëherë në prokurori. “Lidhur me rastin 2026-DA-1274, i cili është hapur për dy vepra penale kundër Jeton Sylaj dhe atë veprat penale ‘Mospërfillja e urdhrit të Gjykatës’ dhe ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’, nuk dihet nëse ky rast është dorëzuar në prokurori, nëse jo, pse nuk është dorëzuar?!”, thuhet në raport.
Në përgjigjen drejtuar kryeprokurores së Pejës, Argzon Hasi tha se kishte nisur rast për mospërfillje të urdhrit të gjykatës, pasi Arlinda Zekajt nuk i ishte lejuar hyrja në shtëpi. Për çështjen e fëmijës, ai kishte udhëzuar që të kontaktoheshin prokurori për të mitur dhe Qendra për Punë Sociale.
Jeton Sylaj u kthye në Kosovë më 22 tetor. Tri ditë më pas, Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet vëllai i Jeton Sylajt, Albert Sylaj.





