Shkrimtari i madh Ismail Kadare është vlerësuar sot me titullin “Nderi i Bashkisë Fier”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë ndër vite letërsisë shqipe dhe për promovimin e saj në nivelet më të larta të kulturës botërore. Me angazhimin dhe talentin e tij, i ka dhënë vlerë mendimit të spikatur dhe cilësor, duke lartësuar në arenën ndërkombëtare identitetit shqiptar”.
Kreu i Bashkisë, Armando Subashi që ia dorëzoi këtë titull shkrimtarit të madh shqiptar. Pasi mori titullin, Kadare ka mbajtur dhe një fjalim ku ka falenderuar Fierin për mikëpritje e mgrohtë dhe njerëzore.
“Zoti kryetar i Bashkisë, të dashur qytetarë të Fierit, do t’ju them dy fjalë shumë të përdorura dhe që tingëllojnë ndoshta banale. Jam i lumtur që jam midis jush. Besojeni se për shkrimtarin, dashuria dhe mirëkuptimi i lexuesve është gjithmonë i shtrenjtë, shumë i shtrenjtë. Ndaj ju falënderoj nga zemra për këtë pritje, kaq të bukur, kaq të ngrohtë dhe kaq njerëzore dhe kaq shqiptare. Ju lumtë! Ju lumtë të gjithëve!”, tha Kadare./albeu.com