Agjencia evropiane e policisë, Europol, tha se policia spanjolle ka shkatërruar një rrjet që ka kontrabanduar qindra pakistanezë nga Ballkani në Bashkimin Evropian.
Kontrabandistët kanë marrë kryesisht migrantë pakistanezë nga kampet e refugjatëve në Bosnje e Hercegovinë dhe më pas i kanë transportuar ata me furgonë në Itali, ose në disa raste në Spanjë, tha Europol-i.
Në hetimet që kanë zgjatur me muaj kanë marrë pjesë autoritete të zbatimit të ligjit nga Bosnja, Kroacia, Italia, Rumania, Franca dhe Sllovenia, së bashku me Europol-in dhe Eurojust-in – agjencinë e Bashkimit Evropian për bashkëpunim gjyqësor.
Hetimet kanë çuar në arrestimin e 15 personave në prill dhe maj – 12 prej tyre në Spanjë dhe nga një në Kroaci, Slloveni dhe Rumani.
Të dyshuarit, të cilët janë kryesisht pakistanezë, por edhe kolumbianë, spanjollë dhe rumunë, “kanë përdorur furgonë dhe kamionë për të fshehur migrantët e parregullt, ndërsa i kanë transportuar në kushte kërcënuese për jetën”, tha Europol-i.
Kreu i grupit është arrestuar në Rumani dhe është transferuar në Spanjë. Hetimet kanë filluar në gusht të vitit 2020, kur Sllovenia ka arrestuar një të dyshuar për transportimin e 55 migrantëve në një kamion.
Forcat e rendit në Kroaci kanë kapur gjithashtu një kamion, që ka kontrabanduar 77 migrantë në kushte kërcënuese për jetën, tha Europol.
Në një tjetër operacion, autoritetet kroate kanë zbuluar dy automjete me 47, përkatësisht 21 migrantë. Policia vlerëson se grupi ka fituar së paku 2 milionë euro nga kontrabandimi i rreth 400 njerëzve në BE, në muajt e fundit.
Kontrabandistët kanë kërkuar nga 3,000 euro për kalimin e migrantëve nga Bosnja në Slloveni. Për të kaluar nga Bosnja në Itali atyre u janë kërkuar 5,000-8,000 euro./REL/