Me shpejtësi deri në 174 km/h dhe të dehur në timon, policia arreston 7 shoferë dhe vë 1495 gjoba brenda 24 orëve (VIDEO)

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë konstatuar shpejtësi që arrijnë deri në 174 km/h dhe drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Si rezultat i kontrolleve janë arrestuar 7 shtetas, nga të cilët 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 29 për shpejtësi deri në dyfish mbi normën e lejuar dhe 14 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, 1495 drejtues mjetesh, për shkelje që përbëjnë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia e Shtetit, nisur edhe nga fakti i prezencës së lagështirës në rrugë, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të bëjnë kujdes, të respektojnë në maksimum rregullat e qarkullimit rrugor, të mos abuzojnë me shpejtësinë, por të qarkullojnë duke respektuar normat e lejuara dhe sinjalistikën rrugore, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të vendosnin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.

Policia e Shtetit ka rritur akoma më shumë prezencën në akset rrugore dhe qendrat e banuara, duke kombinuar shërbimet e Policisë Rrugore me Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, për të vijuar kontrollet intensive, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri./albeu.com


Shtuar 26.08.2021 15:38