Më i votuari në Kryesi, Bogdani: Kritikët e Bashës nuk morën mjaftueshëm vota, nuk i përjashtoi njeri

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Gerti Bogdani, ishte njeriu më i votuan në zgjedhjet e Kryesisë së re të Partisë Demokratike.

Ai ishte i ftuar në studion e lajmeve të Fax Neës, ku dha detaje mbi procesin, por edhe mbi zhvillimet e brendshme në PD.

Bogdani tha se tashmë PD do të ketë më shumë sekretar dhe nënkryetar, në mënyrë që gjithësecili prej tyre të jetë i fokusuar në fushën që mbulon

Për Agron Shehajn, Fatbardh Kadillin dhe Edith Harxhin, Bogdani se ata nuk morën vota mjaftueshëm për të qenë pjesë e kryesisë së PD, pasi askush nuk u’a ndaloi hyrjen.

Në lidhje me dorëheqjen e Mark Markut apo zërat kundër Bashës, demokrati tha se ato janë normale në një parti që udhëhiqet nga parimi i lirisë së shprehjes për secilin.

“Falenderoj të gjithë ata anëtarë që më mbështetën, ishte një proces i fortë dhe interesant, që nxjerr ekipin e ri të PD, që përfaqëson zerat e ndryshëm të demokratëve në të gjithë vendin. Ka një shtim të numrit të sekretariateve, që sjelle edhe një rritje të përgjegjësive për secilin.

Zoti Spaho e ka bërë të ditur qëndrimin e tij, numri i pozicioneve është i kufizuar, kishte emra që kandiduan si zoti Kadilli apo zoti Shehaj, dikush është dhe dikush tjetër nuk është, e rëndësishme mbetet që janë anëtarët e Këshillit ata që vendosin anëtarët e kryesisë.

PD është demokratike pikërisht për shkak të zërave që sjellin debate dhe diskutime të forta, kjo e bën PD të ndryshme nga PS ku veshët dhe sytë mbahen të mbyllur. Të dy emrat ishin në kandidim, unë kam qenë jashtë kryesisë pikërisht për shkak të kuotave gjinore, po të shohësh renditjen ka qenë një garë e fortë për të qenë pjesë e kryesisë.

Gazetarët kanë qenë prezentë gjatë numërimit dhe e kanë ndjekur procesin. Nuk ka kritikë të keqe, sidomos kur bëhen për të përmirësuar diçka, PD është sot ende në një proces reflektimi se si do të vazhdojmë që të ecim përpara. PD ka luftuar për fjalën e lirë, sepse u ndamë nga një sistem që iu mbyllte gojën njerëzve 30 vite më parë”, tha Bogdani.

Lidhur me deklaratën e Bashës, që duket se goditi marrëveshjen Berisha Rama për ndryshimet Kushtetuese të 2008-tës, Bogdani tha se kryedemokrati kërkon reformë dhe në fusha të tjera, përfshirë kodin zgjedhor dhe ndarjen territoriale.

“Nuk ka dalë kundër këtij pakti, por ka thënë që duhet të ketë një reformë të re kushtetuese, pasi pushtetet janë përqendruar në duart e një njeriu të vetëm. Kryeministri është i papërgjegjshëm në pozicionin e tij, pasi rrezikojmë të kthehemi në një vend jopozitiv si të lindjes.

Zoti Basha ka kërkuar që të ketë një kod të ri zgjedhor, sidomos për pjesën e listave që në zgjedhet e kaluara në fakt ishin pothuajse të mbyllura. Zoti Basha propozoi po ashtu dhe ndryshimet në Reformën territoriale, në mënyrë që shqiptarët të mund të kenë shërbim më të afërt. Analiza në planin makro për rezultatin e prillit është bërë”, u shpreh Bogdani.

Rikthimin e PD-së në Kuvend, anëtari i kryesisë e cilësoi një zhvillim pozitiv, ndërkohë që tha se edhe në rast se Berisha nuk do të pranonte të hynte në Kuvend, mazhoranca do të gjente arsye për të sulmuar PD-në.

“Është një rikthim edhe më i fortë se mandatin e kaluar, çka do të thotë një qeveri të kujdesshme në zullumet që bën. Mazhoranca që në ditën e parë kur Rama ka marrë pushtetin ka thënë se ne nuk kishim parë asgjë akoma, do ketë gjithnjë arsye për të sulmuar opozitën.

Siç e thashë më parë ka një kufizim të funksioneve, si në rastin e zotit Alibeaj, i cili është nënkryetar i Kuvendit, dhe kjo do të jetë detyra që ai do të ketë, duke u fokusuar, apo zoti Rushaj që do të jetë dhe kreu i grupit parlamentar në Kuvend. PD do të hapë dyert për shoqërinë civile“, tha Bogdani.

Nuk mungoi as një koment për qeverinë Rama 3, që sipas Bogdanit do të jetë një fotokopje e dy të parave, sa kohë që është vetë Rama ai që vendos.

“Do të jetë një fotokopje e dy mandateve të para, njerëz të korruptuar qe Rama i riciklon, njëherë ministër bujqësie dhe njëherë tjetër po bujqësie, se policia e shtetit është marrë shumë me hashash. Këtë rast zoti Rama do e bëjë qeverinë edhe me më shumë zonja, që të zëjë vendin e parë në botë për numrin e tyre në kabinet. Do të jetë thjesht ndryshim në formë por jo në përmbajtje”, përfundoi Bogdani./albeu.com


Shtuar 1.09.2021 14:34