Rreth 330 mijë pensionistë në Maqedoninë e Veriut do të kenë një rritje prej 1.000 denarësh në pensionet e tyre.
Kjo për të realizuar ndihmën financiare intervenuese të drejtpërdrejtë, e dakorduar, e cila me të njëjtën shumë do të përfshihet në muajt prill dhe maj.
Këto janë 3000 denarë shtesë vetëm për këta tre muaj, të cilët pasohen me rritjen e pensioneve sipas harmonizimit prej 2,9% në janar të këtij viti kur pensionistët kanë pasur rritje prej së paku 460 denarë.
“Me këtë përshtatje, me ndihmën financiare intervenuese, si dhe me modelin e ri për rritje të vazhdueshme të pensioneve, që do të fillojë të zbatohet me pensionin e shtatorit, pensionistët këtë vit do të kenë rritje totale vjetore në vitin 2022 prej mbi 10.000 denarë”, thonë nga Qeveria.
Pensionet e muajit mars përmes rrjetit të bankomateve do të jenë në dispozicion nga data 29 mars e vitit 2022, ndërsa pagesa në para të gatshme e pensioneve për klientët që nuk përdorin kartela, bankat do t’i paguajnë në katër grupe sipas lartësisë së pensionit edhe atë:
– Për pensione me lartësi prej 11.000 denarë, pagesa do të bëhet më 29.03.2022 (e martë);
– Për pensione me lartësi prej 11.001-14.000 denarë, pagesa do të bëhet më 30.03.2022 (e mërkurë);
– Për pensione me lartësi prej 14.001-18.000 denarë, pagesa do të bëhet më 31.03.2022 (e enjte) dhe
– Për pensione me lartësi mbi 18.001 denarë, pagesa do të bëhet më 01.04.2022 (e premte).
Mbështetja financiare, si dhe rritja e pensioneve sipas metodologjisë së re, do të paguhet nga Fondi i për Sigurim Pensional dhe Invalidor.