Greva e sindikatës doganore në Greqi, ka paralizuar qarkullimin normal të automjeteve nga Shqipëria drejt Greqisë dhe anasjelltas.
Kjo grevë, e cila pritet të përfundojë në orët e para të mëngjesit të së enjtes ka shkaktuar pengesa për udhëtarët, por dhe për grupe turistësh, të cilët nuk kanë qenë në dijeni të kësaj mase.
Gazetari Elidon Berberi, nga Kakavija raporton se një grup turistësh nga Tajvani, kanë mbetur në doganë pasi nuk kanë patur informacion për bllokimin e kufijve.
“Ka pasur disa grupe turistësh nga Tajvani, të cilët nuk kanë qenë në dijeni të bllokimit të kufirit dhe janë detyruar të kthehen pas në Gjirokastër”, raportoi ai.
Jashtë kamerave, turistët janë shprehur se pasi kanë vizituar Shqipërinë destinacioni i radhës ishte jugu i Greqisë, por bllokimi i kufirit i ka detyruar të kthehen pas dhe të akomodohen në Gjirokastër.
“Nga ajo që diskutova me ta, thanë se kishin shëtitur në mbarë Shqipërinë dhe do shkonin në jug të Greqisë dhe më pas do të ktheheshin sërish në Shqipëri”, raportoi gazetari.
Greva nuk i ka penguar këmbësorët të kalojnë në të dyja anët e kufirit. Të martën në Kakavijë kanë kaluar në të dyja anët e kufirit mbi 300 persona, ndërsa kalimi i tyre është bërë pa bagazhe, ashtu siç kishte njoftuar Policia Kufitare dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
“Ka edhe nga ata persona që kanë kaluar kufirin në këmbë dhe pa bagazhe. Gjatë ditës së djeshme ka pasur 310 shtetas, të cilët kanë kaluar në të dyja anët e kufirit”, shtoi gazetari.