Me Çmimin e Madh të Abu Dhabi në pistën e Yas Marina, është mbyllur Botërori i vitit 2023 në Formula 1. Kampioni i shpallur prej disa javësh, Max Verstappen dominoi edhe në garën e fundit të sezonit duke triumfuar në Lindjen e Mesme dhe duke koleksionuar triumfin e 19 sezonal nga 22 gara në total. Një dominim total i holandezit dhe RedBullit që mbyllin kështu një tjetër vit mjaft të suksesshëm.
Klasifikimi përfundimtar i pilotëve:
- Verstappen 575 pikë
- Perez 285
- Hamilton 234
- Alonso 206
- Leclerc 206
- Norris 205
- Sainz 200
- Russell 175
- Piastri 97
- Stroll (Can) 74
Ndërkohë, sa i takon garës, Charles Leclerc e mbylli në vendin e dytë. Megjithatë, ky sukses i pilotit monegask nuk i mjaftoi Ferrarit që ta mbyllte në vendin e dytë garën për konstruktorë. Një pozicion që në fund i përket Mercedesit teksa në pistën e Yas Marina, dy pilotët e skuderisë gjermane, Russell dhe Hamilton e mbyllën garën respektivisht në vend të tretë dhe nëntë.
Klasifikimi përfundimtar për konstruktorë:
- Red Bull 860 pikë
- Mercedes 409
- Ferrari 406
- McLaren 302
- Aston Martin 280
- Alpine 120
- Williams 28
Për të vijuar me renditjen e garës së fundit, Sergio Perez e kaloi vetëm i katërti vijën e finishit ndërsa pjesë e dhjetëshes së parë ishin edhe Norris, Piastri, Alonso, Tsunoda si dhe Stroll.