Ka përfunduar procesi i numërimit të votave preferenciale për qarkun e Tiranës, ku rezulton se ish- ministrja Olta Xhaçka, i ka marrë mandatin Blerina Gjylametit me një diferencë tepër të ngushtë prej 2 votash.
Konkretisht, Olta Xhaçka, ka marrë 5806 vota, ndërsa Blerina Gjylameti, numëron 5804 vota.
Ndërkohë kandidati më i votuar në listën e hapur të Tiranës për Partinë Socialiste është Blendi Gonxhe, me 22398 vota, i ndjekur nga Erion Braçe me 21364 vota, më pas ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha me 19113 vota.
Ndërsa Fatmir Xhafaj, ka marrë 12677 vota dhe Ornaldo Rakipi 9683 vota, më pas Anila Denaj me 8783 vota.
Jashtë Parlamentit kanë mbetur disa prej figurave të njohura të PS-së, të cilët cilësohen edhe si “veteranë” të saj.
Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Xhemal Qefalia, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka dhe Plarent Ndreca nuk kanë arritur të sigurojnë mandate.
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste fitoi mandatin e katërt qeverisës me 83 deputetë. Partia Demokratike siguroi 50 mandate, Partia Socialdemokrate 3, ndërsa subjektet e reja si “Mundësia” e Agron Shehajt mori 2 mandate. “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë” siguruan nga një deputet secila.