Mbyllet nata e parë – spektakël dhe emocione të forta në Fest 64

U përmbyll nata e parë e edicionit të 64-të të Festivalit të Këngës në RTSh, duke shënuar fillimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në vend.

Për mbi dy orë e gjysmë, publiku u argëtua me një spektakël të kuruar në detaje, ku muzika, performanca dhe skenografia u bashkuan në një mbrëmje të veçantë.

Nata e parë u moderua nga Arilena Ara dhe Salsano Rrapi, ndërsa në skenë u ngjitën 14 këngëtarët e parë me këngë që varionin nga baladat emocionale deri te ato ritmike.

Spektakli u karakterizua nga eleganca, kostumografia dhe mizanskenat e menduara në çdo detaj.

Performancat u vlerësuan nga juria e Fest 64, e përbërë nga Bleona Qereti, Ramë Lahaj, Olen Çezari, Belinda Budini, Valentin Veizi, Anila Basha dhe Zef Çoba.
Fituesi do të përcaktohet nga një kombinim i votave të jurisë dhe publikut në raport 50 për qind me 50 për qind.

Fest 64 do të zhvillohet përgjatë katër netëve, në përfundim të të cilave do të përzgjidhet këngëtari që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.


Shtuar 18.12.2025 16:30