Mbyllen hetimet për përplasjen me armë zjarri në Kallmet, merret i pandehur ish-kreu i Njësisë Administrative dhe bashkëfshatari

Kanë përfunduar hetimet për përplasjen me armë zjarri në Kallmet ku mbetën të plagosur ish-kreu i Njesisë Administrative të Kallmetit në Lezhë Besnik Simoni dhe Altin Marku. Dosja penale e hetuar nga prokurori Françesk Ganaj është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës.

Të pandehur janë marrë ish-zyrtari Besnik Simoni dhe bashkëfshatari i tij Altin Marku. Ndaj Simonit rëndojnë akuzat e plagosjes në tejkalim të kufijve të vetëmbrojtjes si dhe armëmbajtja pa leje, ndërsa për Markun është ngritur akuza “Vrasja e Mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

SI NDODHI PËRPLASJA ME ARMË?

Përplasja me armë zjarri ndodhi mesditën e 1 prillit, në rrugën që lidh fshatin Kallmet me superstradën Lezhë-Shkodër. Policia raportoi se ishte plagosur në një atentat me armë zjarri, zyrtari i pushtetit vendor Besnik Simoni. Më pas u zbulua se konflikti mes Markut dhe Simonit nisi brenda zyrës së zyrtarit e më pas u zhvendos në rrugë. Marku u arratis për 4 orë. Kur u kap nga policia, u zbulua se edhe ai kishte mbetur i plagosur. Më pas u zbulua se mes dy personave kishte shkëmbim zjarri për konfliktin e 1 viti më parë që lidhet me sherrin në fushatën e PS-së.


Shtuar 7.11.2022 10:01