Mbrëmjen e djeshme, pas një seance maratonë, Kuvendi vendosi të mos dërgojë mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese për verifikim.
Mazhoranca ka votuar me 65 vota pro dhe 9 kundër, ndërsa 25 votat pro të opozitës nuk kanë mundur të dërgojnë çështjen në GJK.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se në lidhje me këtë çështje do t’i drejtohen Komisionit të Venecias.
“Që nesër, si kryetare e Kuvendit do t’i drejtohem komisionit të Venecias për të marrë një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, u shpreh Spiropali.
Kujtojmë se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, më 11 korrik ja bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.
“Gjykata ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës zgjidhjen e konfliktit me Kuvendi. Shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për mosdërgimin e mocionin në Gjykatën Kushtetuese. Detyrimin e Kuvendit për dërgimin për mocionin mbi papajtueshmërinë e mandatit. Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”, u shpreh kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas GJK, është vlerësuar se Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.
“Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit”, sqarohej më tej.