Mashtronte me të mitur për para, arrestohet 24-vjeçarja në Tiranë

Një vajzë 24-vjeçare është arrestuar dhe bashkë me të edhe 2 djem të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi mashtronin përmes kompjuterit duke kërkuar ndihma për të mitur që pretendohej se ishin të sëmurë ose në gjendje të rëndë ekonomike.

Policia njofton se arrestimet janë vijim i operacionit “Kameleonët” të zhvilluar 2 ditë më parë. Ndërkohë që në pranga ka rënë A. H., 24 vjeçe, banuese në Tiranë. Në kërkim janë shpallur: A. M., 34 vjeç dhe S. N., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë. Si bëhej mashtrimi?

Për muaj me radhë këta shtetas përfitonin para për të miturit duke nxjerrë dhe publikuar edhe të dhënat e llogarive bankare. Mashtrimi bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.

NJOFTIMI I PLOTË:

Policia e Shtetit Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike. Finalizohet operacioni policor i koduar “KAMELEONËT 2”, në vijim të operacionit të koduar “KAMELEONËT”, i zhvilluar dy ditë më parë.

Operacioni nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetase, shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Në kuadër të një procedimi penal në ndjekje dhe duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kryer hetime gjithëpërfshirëse në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”. Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasen A. H., 24 vjeçe, banuese në Tiranë.

Ndërsa 2 shtetas të tjerë u shpallën në kërkim:

A. M., 34 vjeç dhe S. N., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime për ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik, me qëllim përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore. Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare.

Tërheqja e shtetasve të interesuar bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal. Këta shtetas, për një periudhë disamujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, etj. Aktualisht po punohet me ritme të shpejta për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Njëkohësisht, Njësia për Hetimin e Kirmeve Kibernetike u bën thirrje të gjithë shtetasve që kanë dyshime të arsyeshme për funksionimin e skemave të tilla të na vënë në djeni në adresën e postës elektronike [email protected] dhe në numrin e telefonit 0694155552, po ashtu dhe në aplikacionet e komunikimit si ËhatsApp, Viber etj.

 


Shtuar 3.04.2021 11:49