Përmes një postimi në “Facebook”, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, së bashku me një grup deputetësh të opozitës, ka bërë të ditur se është propozuar një ligj të ri që sipas tyre, synon përmirësimin e skemës së pensioneve për minatorët.
Në postimin e saj, Tabaku deklaron se ky propozim ligjor, vjen pasi qeveria Rama ka dështuar në përmbushjen e kërkesave të kësaj kategorie të rëndësishme të punëtorëve.
“Për vite me radhë, minatorët janë mashtruar nga qeveria, që ka premtuar rritje reale të pensioneve, por në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar për ta. Qeveria nuk ka bërë asgjë më shumë sesa një indeksim formal të pensioneve, i cili nuk e përmirëson realisht jetesën e tyre ”, tha Tabaku në një deklaratë për mediat.
Gjithashtu, Tabaku shprehet se janë mbi 1 mijë minatorë përfitues të pensioneve, ndërsa mbi 13 mijë të tjerë përfitojnë nga statusi i minatorit.
Mes të tjerash, Tabaku dhe deputetët e opozitës, kanë theksuar se ky ligj synon një rritje të drejtë dhe të merituar për pensionet e minatorëve, duke vendosur një standard të ri që i përgjigjet realisht nevojave të kësaj kategorie punonjësish.
“Tashmë është koha që të çojmë përpara në Kuvend një premtim të që kurrë nuk patën guximin ta përmbushnin, ndërsa paratë e buxhetit i shpenzojnë në skemat korruptive të koncesioneve dhe PPP-ve. Minatorët meritojnë më shumë se 20 lekë shtesë në ditë ose premtime të rreme elektorale. Ky ligj është një hap drejt përmbushjes së kërkesave të tyre dhe rivendosjes së dinjitetit të humbur”,- shtoi Tabaku.