Mashtrimi me kriptomonedhat, bossi turk del në gjyqin për ekstradimin e tij

Shtetasi turk, Faruk Fatih Ozer, ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan.

Sipas burimeve, bëhet me dije se seanca e parë gjyqësore për ekstradimin e tij nis këtë të enjte në orën 14:00.

Prokuroria e Stambollit ka në hetim 21 të pandehur në lidhje me skemën gjigande të mashtrimit përmes kriptovalutave, Thodex.

Emri kryesor në hetim është CEO i kësaj platforme, Faruk Fatih Ozer, i cili akuzohet se ka mashtruar rreth 400 mijë njerëz.

Nga personat e akuzuar, gjashtë prej tyre janë të burgosur aktualisht në Turqi, mes të cilëve edhe vëllai dhe motra e Faruk Ozer.

Sipas mediave turke, ndaj të pandehurve janë ngritur akuzat në Turqi për “krijimi dhe drejtimi i një organizate kriminale”, “mashtrimi duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet e kreditit” dhe “mashtrimit dhe pastrimit të vlerave pasurore që rrjedhin nga krimi”.

Për këto akuza, prokuroria ka kërkuar dënimin me burg në total të të pandehurve nga 12.164 vite burg deri në 40.562 vite burg.

Kujtojmë se Ozer u arrestua në bregdetin e Vlorës teksa bënte plazh dhe për një kohë të gjatë fshihej në një apartament në qytetin e Elbasanit./albeu.com/