Masakra me një të vrarë dhe 5 të plagosur në Tiranë, 10-vjeçarja ishte mbesa e viktimës, dy persona qëlluan me breshëri

Kanë dalë detaje të reja nga ngjarja e së dielës në mbrëje në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku pas të shtënave me breshëri në drejtim të një lokali në Tiranë, mbeti e vrarë kamarieja Mimoza Paja, si dhe u plagosën 5 persona, ndërsa mbeti e lënduar nga ciflat e xhamave një vajzë e mitur 10-vjeçare.

Burimet bëjnë me dije se 10-vjeçarja është mbesa e viktimës Mimoza Paja, e cila u vra gabimisht, pasi shënjestra dyshihet se ishte Sahit Murati, xhaxhai i Fatmir Muratit, i cili është pronari i lokalit.

Murati ndohej në arrest shtëpie, pasi u ndalua në tetor të vitit të shkuar ndërsa ndohej në makinë me Endrit Doklen, pasi dyshohet se ka lidhje me ekzekutimin e 3 personave në Fushë-Krujë, mes tyre edhe Brilant Martinaj.

Sa i përket ngjarjes së sotme burimet bëjnë me dije se atentati u realizua nga dy persona që lëviznin me motoçikletë, të cilët kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi.

Njoftimi:

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta,  nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.

/AlbEu.com/

 


Shtuar 13.03.2023 00:06