Rreth katër ditë më parë, në zonën pranë Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë, është gjetur një kamerë e fshehtë. Pajisja ishte montuar në një nga plepat buzë rrugës që të çon drejt institucionit penitenciar.
Sipas burimeve, pas të dhënave të siguruara nga Komisariati i Policisë Korçë, u arrit të identifikohen personat e dyshuar që e kishin vendosur kamerën. Nga verifikimi i pamjeve filmike, si të implikuar janë identifikuar vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.
Të lidhura
None found
Dyshimet paraprake të hetuesve janë se pajisja ishte përdorur për të ndjekur lëvizjet e Brian Syzos, me synimin për të organizuar një sulm ndaj tij kur ai të shkonte të takonte vëllain, Sindi Syzo. Ky i fundit po vuan dënimin në Burgun e Drenovës për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit.
Hetimet kanë ngritur dyshimin se vendosja e kamerës mund të ketë qenë e lidhur me motive hakmarrjeje ndaj Brian Syzos.
Kjo çështje lidhet edhe me atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec, ku Nikolla Agolli u vu në pranga vetëm pak minuta pasi qëlloi disa herë me armë zjarri në drejtim të Brian Syzos. Bashkë me të u arrestua edhe David Prifti, ndërsa Edison Agolli dhe Meardi Berberi, i njohur me nofkën “Koro”, janë shpallur në kërkim.
Policia po vijon punën për të sqaruar plotësisht ngjarjen, për të lokalizuar dy personat në kërkim dhe për të përcaktuar rolin që ka pasur kamera e vendosur pranë burgut në organizimin e sulmit.
