Mbajtja në Shqipëri e samitit të NATO-s në vitin 2027 është futur në një fazë pasigurie, për shkak të hezitimeve të administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësive të disa shteteve anëtare për nivelin e shpenzimeve të mbrojtjes nga Tirana.
Lajmi është raportuar nga Reuters, që i referohet një diplomati të NATO-s, një zyrtari evropian dhe tre personave që kanë dijeni për diskutimet.
Të lidhura
None found
Sipas këtij raportimi, në projekt-deklaratën e samitit të NATO-s që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Ankara nuk përfshihet samiti pasardhës në Shqipëri. Kjo përbën një ndryshim nga deklaratat e mëparshme të aleancës, ku Shqipëria ishte përcaktuar si vendi pritës i takimit të vitit 2027.
Burimet e cituara thonë se administrata Trump ka ngritur shqetësime për investimet e ulëta të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Një prej tyre u shpreh se organizimi i një samiti në një shtet që ende nuk ka arritur objektivat e NATO-s për shpenzimet ushtarake mund të sillte tension politik dhe reagime të pafavorshme nga presidenti amerikan.
Nga ana tjetër, Reuters thekson se NATO po shqyrton edhe mundësinë për të hequr dorë nga praktika e zhvillimit të samiteve çdo vit. Kjo ide ishte përmendur edhe më parë dhe synon të shmangë përplasje të mundshme politike gjatë mandatit të Trump.
Qeveria shqiptare, ndërkohë, e ka zbutur rëndësinë e mungesës së emrit të Shqipërisë në projekt-deklaratë.
“Draftet janë drafte, jo vendime”, tha një zëdhënës i qeverisë për Reuters, duke nënvizuar se dokumenti vijon të negociohet dhe se mund të pësojë ndryshime.
Në një deklaratë të dhënë për agjencinë, qeveria shqiptare tha se është duke përmbyllur masat fiskale për shtimin e shpenzimeve në mbrojtje, në përputhje me angazhimet e marra në Samitin e Hagës. Sipas saj, gjatë vitit 2026, shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë do të arrijnë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga të cilat 2.2% do të shkojnë për mbrojtjen bazë dhe 0.4% për sektorë të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë.
Së fundmi, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është shprehur se Shqipëria, bashkë me Çekinë dhe Slloveninë, ka premtuar se gjatë këtij viti do të kalojë pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen.
Megjithatë, një diplomat evropian i cituar nga Reuters tha se mbetet ende e hapur mundësia që Shqipëria të presë samitin e NATO-s.
“Ata po rrisin ritmin e përmbushjes së angazhimeve. Do të shohim ku do të përfundojë procesi, por unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri”, u shpreh ai.
