Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nesër, të premten do të shkojë në Stamboll, ku do të pritet nga homologu i tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, njoftuan sot mediat turke.
Sipas gazetës proqeveritare Sabah, të dy liderët do të diskutojnë marrëveshjen për eksportet e grurit të Ukrainës, e cila u nënshkrua në korrik 2022 me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë.
Marrëveshja ndërkombëtare u zgjat deri më 18 korrik, pas negociatave të vështira dhe të ndërlikuara me Rusinë. Megjithatë, javën e kaluar, Moska kërcënoi të tërhiqej nga marrëveshja, duke argumentuar se disa nga kushtet e saj nuk po përmbusheshin. Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar ndër të tjera Kievin për përdorimin e rrugëve detare të parashikuara në marrëveshje për të kryer sulme me drone ndaj flotës ruse.
Turqia, e cila ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjes origjinale vitin e kaluar, dëshiron të rinovojë. Kjo duket të jetë arsyeja pse Erdogan do të takohet me Zelensky.
Kjo pasi ndërprerja e marrëveshjes, përveç problemeve që do të krijojë në Kiev, mund të çojë në një rritje të çmimeve të ushqimeve në mbarë botën, pasi Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë të drithit në planet.