Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi, ka paraqitur raportin e PD sa i takon debateve për mandatin e deputetes së PS, Olta Xhaçka.
Çupi ka kërkuar nga Kuvendi të ekzekutojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në raportin e përgatitur nga deputetja demokrate, bëhet me dije se Kuvendi duhet të ekzekutojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të shmangur çdo tentative për zvarritje nga ana e mazhorancës socialiste.
Gjithashtu, demokratët kërkojnë që kryeparlamentarja Spiropali te përfshijë në seancën e 2 shtatorit projektvendimin për dërgim menjëherë në Gjykatën Kushtetuese te mandatit te Xhaçkës, ndërsa i sugjerojnë që t’i kujtojë deputetëve që kanë detyrimin vetëm për të votuar “PRO”.
Sipas Partisë Demokratike, “Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash”.
Mandati i Xhqaçkës, PD prezanton raportin në Këshillin e Legjislacionit:
“Mënyra e vetme për zbatimin e këtij vendimi te Gjykatës Kushtetuese është ndjekja e procedurës parlamentare si më poshtë:
1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.
2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin”, thuhet ne raportin e hartuar nga demokratja Dhurata Çupi.
Beteja e demokratëve për mandatin e Olta Xhaçkës vijon prej dy vitesh mes ecejakeve Parlament-Gjykatë Kushtetuese. Opozita po nxiton ti heqe mandatin Xhackës para se ti mbarojë natyralisht pasi neni 66/a i ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, parashikon se kërkesa për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit mund të paraqitet në Kushtetuese jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të tij”.