“‘Made in Albania’ do të jetë krenaria jonë kombëtare”, Berisha prezanton paketën fiskale për biznesin: Taksa e sheshtë, ulim çmimin e energjisë në 6 lekë/kilovati

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi disa pika të programit ekonomik me fokus biznesin.

Gjatë komunikimit me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se në 100 ditët e para të qeverisë së ardhshme, nëse PD fiton zgjedhjet, do të jetë rikthimi i taksës së sheshtë.

Berisha tha gjithashtu se do të ulet çmimi i energjisë elektrike për bizneset në 6 lekë/kilovati.

Sali Berisha: 100 ditët e para do të instalohet krahas paketës së dhembshurisë me të cilën nxjerrim Shqipërinë nga varfëria ekstreme, do të instalohet kuadri ligjor për krijimin e klimës më miqësore për biznesin që ka ekzistuar ndonjëherë.

Ne e shpallëm, Made in Albania do të jetë krenaria jonë kombëtare. Biznesi dhe sipërmarrësi i njeh shumë mirë potencialet dhe mineralet e këtij vendi. Do të jetë paketa fiskale me taksën e sheshtë, do të ulet çmimi i energjisë në 6 lekë për kilovat, pra pjesëtim me tre, do të jetë nxitja e madhe e projekteve madhështore në fushën e energjisë solare, energjisë diellore, energjisë ujore.

Do të jetë tërheqja e kompanive të mëdha të eksplorimit, shfryutëzimit, përpunimit të mineraleve në Shqipëri.

Do të jetë Shqipëria e inteligjencës articificiale, e kriptomonedhave, e internet 3.

Tre muajt e parë hedhim baza të forta ligjore për të gjitha këto projekte. Kam bindje se ju dhe kolegët tuaj amerikanë do të vijnë me kënaqësi të investojnë në Shqipëri.


Shtuar 8.03.2025 14:09