Përkundër panikut në ditët e para të luftës në Ukrainë, tregtia me Shqipërinë jo vetëm nuk u ndal po ka shënuar një rritje jo të zakontë si në vlerë dhe në sasi.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, gjatë muajit mars importet nga Ukraina shënuan një vlerë prej 1.3 miliardë lekësh me një rritje 91 për qind në krahasim me një vit më parë në të njëjtën periudhe.
Rritja në vlerë ka qenë e zakonshme edhe për shtete e tjera, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të lëndëve të para, mirëpo përgjatë tremujorit sidomos në muajt shkurt dhe mars ku lufta ishte e pranishme, mallrat e importuara nga Ukraina njohën rritje edhe në sasi me 112 e për qind në raport me vitin e kaluar.
Rritje të lartë shënuan edhe eksportet shqiptare drejt Ukrainës, por me ritme më të ulëta se importet. Për të njëjtën periudhë të vitit 2022 vlera e mallrave të eksportuara në Ukrainë u rrit me 41% në vlerë dhe mbi 3% në sasi.
Tregtia e Shqipërisë me Ukrainën është modeste. Në janar -mars 2021 mallrat e eksportuara drejt Ukrainës zunë 0.15 % të eksporteve totale, nga 0,14% që ishin vitin e kaluar në tremujorin e parë.
Ndërsa importet nga Ukrainë në tremujorin e kaluar zunë 0.66% të importeve totale, nga 0.44 që zunë në janar-mars 2021.
Artikulli më i importuar në këtë tremujor nga Ukraina ishte vaji i lulediellit dhe me tej mobiliet, dyshekët dhe materiale të tjera prej druri, çelik, bulmet etj.
Ndërsa artikujt më eksportuar nga Shqipëria drejt Ukrainës ishin zarzavatet dhe frutat.
Tregtia në vlerë u rrit edhe Rusinë pavarësisht sanksioneve
Ndryshe nga sa pritej, lufta e ka intensifikuar më tej tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe Rusisë.
Importet për disa artikuj të tillë si çeliku, vaji kanë pësuar zgjerim si në vlerë dhe në sasi, duke bërë që pesha e importeve nga Rusia te rritet në totalin e importeve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në janar -mars 2022 importet ruse në vlerë ishin 3.6 miliardë lekë me një rritje 68% në krahasim me një vit më parë. Në janar-mars 2022 importet nga Rusia zunë 3 për qind të totalit të importeve në vlerë nga 2 për qind në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Për të gjithë tremujorin e parë 2022 u importuan nga Rusia 44 mijë tonë mallra me rënie vjetore 14 për qind. Por vlera e tyre ishte më e lartë në krahasim me vitin e kaluar për shkak të rritjes së çmimeve.
Në tremujorin e parë 2021 Shqipëria kishte zero eksporte në Rusi ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2022 u eksportuan 2 milionë lekë mallra, një vlerë tejet modeste.
Importet e naftës nga Rusia ndaluan pothuajse totalisht nga Rusia në tremujorin e parë duke pësuar rënie me 97 %. Sipas të dhënave të INSTAT importet e lëndëve djegëse (nafta dhe gazi) nga Rusia ishin vetëm 2800 tonë në tremujorin e parë 2022 nga 22 mijë tonë që ishin në të njëjtën periudhe të një viti më parë. importet e këtyre produkteve shënuan rënie vjetore me 87 për qind. Vitin e kaluar importet e naftës dhe gazit Rus zinin 12 % të importeve totale të këtij grupi.
Në krahun tjetër importet e çelikut rus drejt vendit tonë u rritën me ritme të larta gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTAT në tremujorin e patë u importuan 11 mijë tonë hekur, nga vetëm 1500 tonë vitin e kaluar me një rritur mbi 600%, ndërsa importet e vajit pësuan një rritje të shpejtë. Në -tremujorin e parë u importuan nga Rusia rreth 2400 tonë vaj nga 641 tonë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një rritje 273 për qind.
Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit./Monitor