Luftime të ashpra po vazhdojnë në jug të Ukrainës, përfshirë edhe granatime në qarkun Enerhodar, afër centralit të pushtuar bërthamor të Zaporizhjas.
Kështu bëri të ditur më 2 shtator Ministria britanike e Mbrojtjes.
Këto raportime vijnë derisa inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë vazhdojnë të jenë në centralin bërthamor. Inspektorët arritën në Zaporizhja më 1 shtator pavarësisht granatimeve në zonë, që shtyn autoritetet në central të ndalnin një prej reaktorëve.
Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për kryerje të sulmeve në këtë zonë para vizitës së misionit të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore.
Zaporizhja, që ka rënë nën kontrollin rus pak ditë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, është centrali më i madh bërthamor në Evropë.
Më 1 shtator, zyrtarët ukrainas raportuan për “sulme të vazhdueshme me mortaja” nga rusët. Zyrtarët lokalë në Zaporizhja thanë po ashtu se trupat ruse kanë granatuar rrugën nëpër të cilën kanë kaluar inspektorët e Kombeve të Bashkuara.
Por, Rusia është kundërpërgjigjur duke akuzuar forcat ruse se tentuan të merrnin kontrollin e centralit.
Centrali i pushtuar i Zaporizhjas operohet nga inxhinierët ukrainas.
Misioni i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore pritet të qëndrojë në central deri më 3 shtator. Inspektorët pritet të shikojnë dëmin fizik në ndërtesë, tha operatori shtetëror i energjisë në Ukrainë, Enerhoatom. Shumica e inspektorëve të OKB-së u larguan nga centrali më 1 shtator, njoftoi agjencia, duke shtuar se inspektorët qenë në gjendje të monitorojnë situatën./REL