Lufta në Ukrainë do të zgjasë, Perëndimi të përfundojë tranzicionin energjitik, ndryshe do mbetet në mëshirën e Putinit

Nga Mikhail Khodorkovsky “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në pranverën e vitit 2014, shkova në Kiev me një grup të madh rusësh që përfaqësonin pjesën evropiane të elitës kulturore dhe sociale ruse për të shprehur solidaritetin tonë me protestat e Maidanit në Ukrainë si dhe kundërshtimin tonë ndaj aneksimit të Krimesë nga ana e Moskës.

Më pas shumë prej nesh shkuan në Kharkiv dhe Donetsk për t’u takuar me qytetarë rusishtfolës të Ukrainës, të cilët ishin të shqetësuar për atë që po ndodhte. Në Donetsk, ndër të tjera, unë pata një bisedë me drejtuesit e atyre që sulmuan administratën rajonale, përfshirë Denis Vladimirovich Pushilin, kreun aktual të “Republikës Popullore të Donetsk”.

Që nga ajo kohë, për mua ka qenë absurde të dëgjoj ata që ende nuk e kuptojnë se destabilizimi i Ukrainës Lindore dhe aneksimi i Krimesë ishin që në fillim një “operacion special” i Kremlinit. Është e pabesueshme që në Rusi ka ende njerëz që nuk e kuptojnë se Putini nuk po shtyhet nga vala e një rilindjeje perandorake.

Ai po e nxit vazhdimisht këtë valë vetë, i ndihmuar nga propaganda e zgjuar si dhe financimi i drejtpërdrejtë i nacionalistëve me mendësi imperialiste. Njëkohësisht, ai po shtyp zërat alternative të pjesës më të arsyeshme të shoqërisë. Putin e ka përdorur tashmë 4 herë luftën për të zgjidhur problemet e brendshme.

Në Çeçeni në vitin, në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë në vitet 2014 dhe 2022. Kjo nëse nuk llogaritim luftën në Siri dhe aneksimin de fakto të Transnistrias, një rajon në pjesën lindore të Moldavisë. Synimi kryesor i Putinit është të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, ndonëse vitet e fundit ka pasur një zhvendosje drejt “trashëgimisë”.

Kjo nënkupton një rivendosje të pjesshme të perandorisë ruse dhe ndikimit të saj të dikurshëm. Duhet të mos harrojmë se ultimatumi rus i dhjetorit të vitit 2021, nuk kërkonte një distancim të Perëndimit nga Ukraina por “të NATO-s në kufijtë e 1997”. Pra ajo ngriti çështjen e rivendosjes së kontrollit perandorak mbi vendet baltike, Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë dhe Ballkanin.

Dhe risolli në tryezë fatin e Gjermanisë Lindore. Ndaj, kjo luftë do të përfundojë vetëm nëse Putin tërhiqet nga skena politike. Ukraina e pavarur dhe forcat e saj të armatosura heroike, u bënë një pengesë për ëndrrat perandorake të Putinit.

Në rast se Ukraina do të ishte dorëzuar, Perëndimi do të gjente ushtarë ukrainas të rekrutuar me forcë në ushtrinë pushtuese të Putinit 1 ose 2 vjet pasi ai të kishte vendosur sundimin e tij. Për Putinin, kostoja politike e jetëve të ukrainasve është zero.

Pavarësisht se çfarë lëshimesh territoriale mund të kishte bërë Ukraina, meqë lufta për Putinin është një mjet për mobilizimin e mbështetësve por edhe për ruajtjen e pushtetit, është e vështirë që të pritej paqe afatgjatë.

Për këtë arsye, garancia e vetme për t’i dhënë fund armiqësive aktive do të ishte një ekuilibër i fuqisë, në të cilin çdo goditje do të përballet me një kundërsulm përkatës. Vladimir Putin duhet të kuptojë se cikli i ardhshëm i armiqësive, nuk do të jetë në favor të tij, sepse ushtria ukrainase mund të luftojë më mirë.

Dhe kjo gjë do të jetë e mundur vetëm me dhënien e garancive nga Perëndimi për një mbështetje të menjëhershme për Ukrainën, nëpërmjet një koalicioni aleatësh të aftë për veprim ushtarak. Perëndimi duhet t’i japë këto garanci tani sepse duke përjashtuar gabimet dramatike në fushën e betejës, ka shumë të ngjarë që konflikti të ngrijë në vjeshtën dhe dimrin e periudhës 2023-2024, pasi potenciali sulmues i të dyja palëve është reduktuar ndjeshëm.

Do të ketë një fund të luftës vetëm nëse Putin dhe regjimi i tij tërhiqen nga skena politike, gjë që ndoshta është e mundur vetëm përmes vdekjes së presidentit aktual. Megjithatë nevoja për të qëndruar të bashkuar kundër agresorit për hir të sigurisë së përgjithshme nuk është mësimi i vetëm që duhet nxjerrë nga një vit e ca luftë.

Për shumë vende në Evropë, dhe për Gjermaninë në veçanti, çështja e sigurisë së energjisë është shumë thelbësore. Tani po dëgjohen shumë kritika për ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, për shkak se e lejoi Gjermanisë të bëhet kaq e varur nga furnizimet energjetike ruse.

Por kritikët e politikës së saj të jashtme duket se e harrojnë faktin që Gjermania ka pasur të ardhura shtesë prej 250 miliardë dollarësh pikërisht nga kjo varësi. Mjerisht, këto fonde kanë bërë që shumë njerëz ta harrojnë maturinë që duhej të kishin treguar.

Dëshira e Kremlinit për të shfrytëzuar varësinë energjetike të Evropës për interesat e veta, çoi më pas në një krizë energjetike tejet dramatike. Por unë druaj se këto leksione nuk janë mësuar plotësisht.

Koncepti popullor se energjia e erës dhe diellit, do ta lejojnë Gjermaninë të ruajë industrinë e saj, të distancohet nga energjia bërthamore si dhe të bëhet e pavarur nga shtetet autoritare që furnizojnë lëndë djegëse fosile është absolutisht utopik.

Ai do të çojë (dhe po çon tashmë) në një rënie drastike të konkurrencës industriale – ndërsa gjasat për një përballje ushtarake janë të larta – dhe në të njëjtën kohë në një blerje masive të lëndëve djegëse fosile nga regjimet e tjera autoritare. Përdorimi i gazit natyror të lëngshëm (LNG) siguron më shumë hapësirë manovrimi.

Është sigurisht e jashtëzakonshme se sa shpejt profesionistët gjermanë ishin në gjendje të ndërtonin terminale efikase të depozitimit të LNG-së. Natyrisht, problemi nuk ishin inxhinierët dhe industria, por burokracia. Megjithatë, ajo është sërish një djegëse fosile dhe blihet në tregun e përgjithshëm.

Vetë-mashtrimi se “nëse nuk blejmë naftë në Rusi, i heqim një sasi të konsiderueshme parash Putinit”, e shpërfill natyrën globale të tregut modern të naftës. Mënyra e vetme për të reduktuar varësinë nga ky lloj diktatori energjetik, është një tranzicion energjetik që përdor të gjitha, ose të paktën shumicën e teknologjive të disponueshme sot.

Në këto kushte LNG do të ishte vetëm një zgjidhje kalimtare. Ky proces do të kërkojë shumë punë, investime dhe shumë kohë. Dhe puna duhet të fillojë që tani. Një alternativë do të ishte rifillimi i marrëdhënieve me Putinin. (Për me tepër një presidencë e ardhshme e Donald Trump do të nënkuptonte një fund të mbështetjes ushtarake për Ukrainën).

Një opsion tjetër, de-industrializimi i plotë i Evropës, vështirë se do të ishte i këshillueshëm.  Ndërkohë, përpjekja për të rifilluar marrëdhëniet me Putinin do të çonte gjithashtu në çmime aq të larta të energjisë, saqë de-industrializimi do të ishte i pashmangshëm.

Një fitore për Ukrainën, rivendosja e kufijve të saj, rrëzimi nga froni i një diktatori të turpëruar, demokracia në Rusi. Këto janë detyra fisnike për të gjithë ne. Por rruga për t’i përmbushur ato mund të jetë më e gjatë nga sa do të donim. /albeu.com

Shënim:Mikhail Khodorkovsky, biznesmen rus në mërgim i industrisë së energjisë dhe një aktivist i shquar i opozitës ruse, aktualisht banon në Londër.


Shtuar 5.06.2023 11:33