Luan Rama “thumbon” Vasilin: Nuk më shqetësojnë ata që morën më pak vota se sa marr unë like në Facebook

Ish nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, pas dorëheqjes nga kjo forcë politike, ka dhënë edhe disa arsye për humbjen e mandatit në qarkun e Vlorës.

Rama nuk vendosi gishtin vetëm tek një problematik e caktuar, por tha se kishte disa faktorë të ndryshëm që ndikuan në humbje.

Rama dha dorëheqjen dhe njoftoi largimin nga LSI përmes një statusi në Facebook. Këtu deklaroi se ka marrë mbështetjen e ndjekësve, ndërsa disa vunë re heshtjen e drejtuesve të tjerë të LSI-së për këtë dorëheqje. Luan Rama i thumboi.

“Për mua ka rëndësi që ato mesazhe, komente, like dhe që kam marrë në Facebook dhe në telefonata janë të gjitha mesazhe solidarizimi me vendimin tim. Mua nuk më intereson dikush që ka marrë më pak vota se komentet dhe like-t që kam marrë unë në Facebook”, tha ai në një intervistë për Neës24.

Kujt iu drejtua kjo ironi e Luan Ramës? Njëri prej emrave me të cilin u përplas gjatë fushatës brenda LSI-së ishte Petrit Vasili. Ky i fundit mori vetëm 362 vota në Tiranë, por do të jetë në Parlamentin e ri pas zgjedhjes së Monika Kryemadhit për të përfaqësuar qarkun e Fierit dhe jo Tiranën./albeu.com


Shtuar 4.09.2021 18:51