Në spotet e fushatës, Basha shihet teksa u thotë shqiptarëve se është ai që hoqi vizat dhe futi Shqipërinë në NATO.
Por në krye të qeverisë së asaj kohe ishte ish-kryeministri Sali Berisha.
Për këtë arsye, kreu i PD Lulzim Basha u pyet nga Fevziu në “Opinion” pse ka personalizuar dy arritje të qeverisë Berisha.
Debati në studio:
Fevziu: Thoni që hoqa vizat, e futa në Nato. A nuk ju duket pak më shumë e personalizuar? Të njëjtën gjë thoshte dhe Berisha, unë hoqa vizat, unë ju futa në NATO…
Basha: Ky spot nuk është bërë për ty Blend, as për gazetarët që ke këtu
Fevziu: Është bërë për ata që mund ta hanë domethënë
Basha: Ky spot është bërë për të kuptuar diferencën se ku ishim dhe ku jemi sot. Beteja brenda vetes, një nga gjërat më të rënda që ka pllakosur Shqipërinë është humbja e besimit te vetvetja, te njëri-tjetri.
Fevziu: Pse kaq i personalizuar?
Basha: Një nga arsyet kryesore është për t’i kujtuar shqiptarëve forcën që ne kemi si komb. Nuk është bërë që një gazetar ta marrë dhe të thotë e keni bërë ju Basha. Unë kam rolin tim…Ju keni qenë aty dhe e dini fare mirë, pasi u bëra ministër i Jashtëm më pyetët, “si duken punët”. Në atë moment shanset ishin 100% për Kroacinë, 60% për Maqedoninë dhe shumë të vogla për Shqipërinë.