Listat e anëtarëve u mbajtën të fshehta? PD ua dorëzon kandidatëve dy ditë para zgjedhjeve

Komisioni Zgjedhor hapi sot listat e anëtarësisë së PD për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD, pas akuzave se ato po mbaheshin të fshehta.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana bëri të ditur se, pas hapjes së  sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e volosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD.

Në lista janë emrat e 75 067 anëtarëve të PD, te cilët ndahen në 76 komisione votimi.

“Në pesë degë që kanë nga dy komisione bëhet një ndarje afërsisht e barabartë e numrit të anëtarëve. Kemi përgatitur zarfat për secilin prej komisioneve.  Janë 76 zarfa në të cilat do të fusim listat e votimit të 76 komisioneve të votimit. Do t’i mbyllim, do t’i vulosim, dhe do t’i firmosim, secili, Kryetari dhe Sekretari i komisionit, detyrimisht dhe secili prej kolegëve anëtarë dhe përfaqësues të kandidatëve të këtij Komisioni, firmën mbi këto zarfe tek pjesa që mbyllet.

Zarfat, bashkë me materialet e tjera zgjedhore, do të shpërndahen nesër dhe do të hapen në prani të Komisionit, në momentin që fillon procesi i votimit. Pra do të hapen në orën 08:00 të ditës së diel. Kryetarët e Komisioneve e kanë marrë këtë porosi të prerë që zarfat nuk mund të hapen nga askush, zarfat do të hapen vetëm nëpërmjet Komisionit dhe do të përdoren në tavolinën e Komisionit për procesin e votimit.”- u shpreh kryetari i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana.


Shtuar 11.06.2021 13:00