“Ëngjëlli mbrojtës i kriminelëve”, shkarkohet nga detyra Enkeleda Hoxha

KLGj ka pranuar kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë  dhe ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkeleda Hoxha.

Më herët, Hoxha është arrestuar me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre bashkë me nëntë persona të tjerë në Gjykatën e Krujës, mes tyre kancelari i këtij institucioni, kryesekretarja Ela Mallkuçi dhe avokati Aldo Tabaku.

Pas arrestimit, Hoxha ka bërë dy herë kërkesë me shkrim për ndryshim mase, duke u shprehur se ka djalin në gjendje të rënduar shëndetësore pasi është autik.

Hoxha njihet për favorizimin që ka bërë për lirimin e Endrit Doklës,  Hekuran Billës, Genc Tafilit dhe Ilir Pajas.

Endrit Dokle

Në janar të 2020 u lirua me kusht nga burgu Endrit Dokle i dënuar me burgim të përjetshëm dhe anëtar i bandës së Durrësit.

Gjyqtarja Hoxha pranoi kërkesën e Dokles për ta konvertuar dënimin e përjetshëm në dënim 25 vjeçar, dhe pranoi kërkesën për tu lënë i lirë pasi ka kryer ¾-ën e dënimit 25 vjeçar. Gjyqtarja justifikoi vendimin e saj dhe me faktin se i burgosuri kishte siguruar një kontratë pune në firmën Mateo Konstruksion, në pronësi të Agim Cakos.

Endrit Dokle njihet si një prej drejtuesve të Bandës së Durrësit, që vepronte që prej vitit 1994.Endrit Dokle, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës, janë dënuar për dhjetra vrasje në Tiranë e Durrës, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qeniesh njerëzore. Madje Dokle, përveç dënimeve të përjetshme për vrasjet e atentatet, ishte dënuar edhe me 16 vite të tjera heqje lirie për shkak se drejtonte trafikun e drogës nga burgu.

Genc Tafili

Në nëntor të 2017, Genci Tafili i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kreut të policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, u lirua  nga gjyqtarja Hoxha, pavarësisht se ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili.Genc Tafili kreu 17 vite burg që nga arrestimi i tij në vitin 2000.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni kërkoi shkarkimin nga detyra, ndërkohë dhe Presidenti Meta kërkoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisjen e hetimit ndaj saj. KLD vendosi një masë disiplinore ndaj gjyqtares Hoxha.

Ilir Paja

Gjyqtarja Hoxha liroi Ilir Pajën, i cili njihet nga të gjithë me nofkën “UFO”,1 vit para se dënimi i tij të përfundonte.Ilir Paja është i njohur për arratisjet nga burgjet italiane dhe gjermane. Disa vite më parë, Ilir Paja, i arratisur nga burgjet italiane, tentoi të ekzekutonte një efektiv policie, i cili kishte shkuar ta arrestonte në vitin 2008.

Ministri i Drejtësisë i asaj kohe Nasip Naço, ka kërkuar fillimisht shkarkimin e gjyqtares dhe largimin e saj nga trupa gjyqësore shqiptare, por në Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi paralajmërim.

Ndaj saj ka nisur vetëm një hetim administrativ nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.Vendimet e saj të dyshimta, duhet të jenë objekt për nisjen një hetimi penal nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

 

 


Shtuar 17.03.2021 10:21