Lëvizte me pistoletë në qytet dhe tenton të fshihet në lokalin e tij, arrestohet biznesmeni në Durrës

Foto ilustruese

Policia e Durrësit ka arrestuar 44 vjeçarin Blendi Rrogozhina i cili lëvizte me pistoletë në brez gjatë kohës që qarkullonte në qytet. Pasi është pikasur nga policia, 44 vjeçari ka tentuar të fshihet brenda lokalit që kishte në pronësi, por aty është arrestuar nga “blutë” e qytetit.

Njoftimi i Plotë:

Durrës/Goditje të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Vijon plani operacional i koduar “Terreni”, në kuadër të kontrolleve “blic”, të zhvilluara në të gjithë qarkun.

Lëvizte me armë zjarri me vete dhe për t’i shpëtuar Policisë futet në lokalin e tij, me qëllim fshehjen e armës, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit fizik të arrestuarit iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri pistoletë, krehëri i saj dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të kontrolleve “blic” ndaj shtetasve e në ambiente të ndryshme, në qarkun e Durrësit, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë vijuar planin operacional të koduar “Terreni”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi:

– Blendi Rrogozhina, 44 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ky shtetas sapo ka evidentuar shërbimet e Policisë, është futur në lokalin e tij dhe ka tentuar të fshehë armën e zjarrit që mbante me vete. Ndërhyrja në kohë e Policisë ka bërë të mundur që arma e zjarrit pistoletë, krehëri i saj dhe municioni luftarak, t’i gjenden dhe t’i sekuestrohen menjëherë 44-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 7.10.2022 09:29