Lojtari i konsideruar nga shumë si futbollisti më i mirë në histori, Lionel Messi, është rikthyer papritur në Barcelonë mbrëmjen e kaluar, duke ndezur nostalgjinë e tifozëve dhe një valë emocionesh në rrjetet sociale. Argjentinasi u pa duke vizituar Camp Nou së bashku me miq dhe bashkëpunëtorë të tij, stadiumi ku ai shkroi pothuajse të gjithë legjendën e karrierës së tij dhe ku emocionoi botën për gati dy dekada.
Vizita e tij në stadium u shoqërua me një mesazh për ndërtimin dhe ringritjen e Camp Nou, por kjo nuk ishte e vetmja pjesë e axhendës së tij, pasi mbrëmja rezervoi edhe një moment që u bë viral në rrjetet sociale.
Një video e publikuar nga kalimtarë të rastit tregon një çift të dashuruarish që po filmonin një video të qetë dhe romantike në rrugët e Barcelonës. Teksa ata po fokusonin kamerën te vetja, papritur pas shpinës së tyre shfaqet Lionel Messi, i shoqëruar nga truproja e tij. Çifti mbeti i ngrirë për një moment, duke e kuptuar se personi që po kalonte pranë tyre nuk ishte askush tjetër veçse kampioni botëror.
Reagimi i tyre ishte i menjëhershëm: i riu, i habitur dhe i emocionuar, e ktheu kokën dhe ndoqi me sy Messin, ndërsa vajza ndaloi së foluri, duke harruar për një moment videon dhe intimitetin e momentit. Messi, si zakonisht i qetë dhe modest, vazhdoi rrugën pa bërë asnjë gjest të veçantë, por prania e tij bastoi të gjithë skenën.
Videoja ka shpërthyer në rrjetet sociale, shoqëruar me komente të shumta nga fansa që e përshkruajnë Messin si “njeriun që edhe kur kalon rastësisht, të lë pa fjalë”. Disa përdorues madje kanë shkruar me humor: “Imagjino të dalësh bukur në video me të dashurin tënd… dhe Messi të vjedhë gjithë skenën!”
Edhe pse Messi mund të ketë qenë aty për arsye personale apo profesionale, rikthimi i tij në qytetin që e adhuron, qoftë edhe për disa momente, mjaftoi për të krijuar një tjetër episod të paharrueshëm për fansat e tij dhe të futbollit në tërësi.
