Ky është vendi i rëndësishëm që zë Shqipëria në OKB nga sot

Viti 2022 nis me një lajm të mirë për Shqipërinë, pasi vendi so të pozicionohet si vend i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Për 2 vite rresht Shqipëria do të ulet në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë. Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore.

Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, është një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare për vendin. Shqipëria u pranua anëtare e OKB-së më 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mandat 2-vjeçar. Mandati fillon më 1 janar 2022.

Ky këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dyvjeçar.

Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve./albeu.com/


Shtuar 1.01.2022 11:11