Kuvend dhe protestë nesër, seanca në rend dite dhe shkarkimin e Nikollës: A do të jetë Rama i pranishëm?

Kjo javë ka qenë plot tension politik. E hëna nisi vrullshëm me seancën plenare ku u bë një kaos i vërtetë dhe me opozitën jashtë Kuvendit që protestonte për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas skandalit McGonigal.

Për shkak se situata doli jashtë kontrollit, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ndërpreu seancën, për ta vazhduar ditën e nesërme, e enjte 16 shkurt.

Ndër të tjera, në rend dite është dhe votimi për shkarkimin si kryetare të parlamentit Lindia Nikollën, kërkesë e bërë nga opozita.

Gjithashtu, po nesër, në të njëjtën orë me Kuvendin, pra 10:00 e paradites, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka thirrur protestë.

Berisha ka postuar sot në Facebook spotin e protestës, ku dëgjohet të bëjë thirrje për pjesëmarrje.

“Parlamenti dëshmoi se janë shumë më afër me bandat se sa me tempullin e demokracisë. Prania juaj këtu, i detyroi të largohen nga parlamenti. Herën tjetër, do duhet t’u marrin leje ju!” thekson Berisha në video.

Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse Rama do të jetë i pranishëm në seancë, të cilin opozita e kërkon me ngulm që të dalë dhe të japë llogari para shqiptarëve për skandalin McGonigal.

Kujtojmë se tre seancat e fundit, Rama nuk ka qenë në Kuvend, një herë me justifikimin e nuk ka qenë mirë me shëndet, ku dhe ia delegoi ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, kompetencat për interpelancën në lidhje me rastin McGonigal.

Ndërsa herën e fundit, të hënën e 11 shkurtit, Rama nuk mori pjesë pasi priti në Kryeministri, kreun e qeverisë së Bavarisë, Markus Soder.

Por a do të marrë pjesë në seancën e ditës së enjte? kjo mbetet për t’u parë, pasi ende nuk është zbardhur asgjë nga agjenda e kyeministrit.

Ndërkohë, duke marrë parasysh se ka Kuvend dhe protestë, pritet që sërish të ketë tensione./albeu.com

Më poshtë rendi i ditës:

 


Shtuar 15.02.2023 11:12