Kurti hedh poshtë zërat mbi kontratën me gazsjellësin: S’ka refuzim, jemi në bisedime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth projektit amerikan të gazsjellësit të cilin sipas mediave, qeveria e ka refuzuar zyrtarisht.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurti u shpreh se informacionet që kanë dalë në media, nuk kanë të bëjnë me refuzimin e projektit, teksa konfirmoi se qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë MCC.

“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike. Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, ka deklaruar Kurti.

Më 30 shtator Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se Kosova ka refuzuar projektin për gazsjellësin në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se kanë nevojë për më shumë informacione./albeu.com