Kundërshtuan kontrollet e SPAK, Apeli rrëzon ankimimin e Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt

Gjykata e Posaçme e Apelit, ka rrëzuar ankimin e bërë nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj, bashkëshortja dhe vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ata kundërshtonin veprimet e SPAK dhe GJKKO, në lidhje me kontrollin e ushtruar mëngjesin e 6 Dhjetorit nga oficerët e BKH në banesat e tyre dhe të familjarëve, si dhe në zyrat e fondacionit “Harabel”.

Vendimi në Apel është marrë nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi. Avokatët e Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt, pretendonin që kontrollet ishin bërë në shkelje të ligjit procedurial për mungesë shkaku të ligjshëm.

Pretendimet e tyre janë rrëzuar nga Apeli, e cila ka përfshirë të dyja ankimimet në një vendim të vetëm.

Ndërkohë, një ditë më parë, Ajola Xoxa dha shpjegime për rreth 3 orë në SPAK për llogari të një hetimi për “korrupsion” dhe hetim pasuror të nisur nga kjo strukturë.

Pak ditë më parë, GJKKO refuzoi kërkesën e saj dhe vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, për t’ju kthyer sendet e sekuestruara nga SPAK gjatë kontrollit personal dhe disa ambienteve në pronësi të tyre.


Shtuar 24.12.2024 12:06