Mediat italiane kanë publikuar bisedën e fundit të Francesco Vitale, trafikantit italian të drogës, i cili u gjet i vdekur në rrethana të dyshimta mëngjesin e 22 shkurtit.
Vitale u rrëzua nga kati i pestë i një pallati në rrugën Pescaglia alla Magliana në qytetin e Romës. Sipas mediave italiane, biseda e fundit me bashkëshorten ishte mbrëmjen e datës 21 shkurt, ku ai i lajmëroi vdekjen e tij.
“Dashuria ime, gjithçka ka marrë fund. Kujdesu për veten dhe për fëmijën tonë”, i tha Vitale gruas së tij në telefon.
Karabinierët dyshojnë se Vitale është shtyrë nga dritarja, ose është hedhur vetë për t’i shpëtuar rrëmbyesve që e torturuan për më shumë se dymbëdhjetë orë.
Rrëmbimi i tij dyshohet për një borxh prej 500 mijë euro për një ngarkesë kokaine që nuk ishte paguar.
Por ajo që e bën më misterioze vdekjen e italianit është fakti se rrëmbyesit kontaktuan familjen e dhe pas vdekjes duke i kërkuar shlyerjen e borxhit dhe shpërblimin për lirimin e tij.
Një ditë para se të vdiste, Vitale kishte shkuar nga Bari në Romë me të fejuarën e tij për të takuar personat të cilëve u detyrohej për borxhin. Megjithatë, takimi u kthye në një rrëmbim, duke e dërguar në banesën ku ai u gjet i vdekur.
Hetuesit e lidhin bisedën e fundit telefonike si një formë presioni ndaj familjes për të paguar borxhin.
Mediat italiane shkruajnë se pas vrasjes mund të fshihet krimineli shqiptar Elvis Demçe, personi i cili edhe pse në burg dyshohet si “Zot” i trafikut të drogës në Romë./Albeu.com/