Kryepeshkopi Anastas Janullatos në gjendje kritike për jetën, mediat greke: Ndodhet në terapi intensive

Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos vijon të jetë kritike, sipas raportimeve të CNN grek.

Ai është shtruar në spitalin “Ungjillëzimi” në Athinë që prej datës 3 janar, pas problemeve me shëndetin. Mediat greke raportojnë se ai ndodhet në kushte të terapisë intensive.

Më 5 janar, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe Kryepeshkopi Jeronimos i Athinës vizituan spitalin për të marrë informacion mbi situatën e Kryepeshkopit 95-vjeçar. Ekipi mjekësor, nën drejtimin e profesoreshës Anastasia Kotanidou, po e monitoron nga afër gjendjen e tij.

Anastasi u transferua nga Tirana në Athinë më 3 janar me një avion të Forcave Ajrore Greke, pasi gjendja e tij u rëndua. Fillimisht, ai ishte shtruar në një spital në Tiranë më 30 dhjetor për shkak të një gripi sezonal, por nevoja për trajtim më të specializuar kërkoi transportimin e tij në kryeqytetin grek.

Janullatos, i njohur për angazhimin e tij të palodhshëm në jetën shpirtërore dhe shoqërore të vendit, po merr kujdesin më të mirë për t’u rikthyer në detyrën e tij.


Shtuar 7.01.2025 19:18