Kryeministri Rama: Vitin e ardhshëm, samiti i Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Shqipëri

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit Edi Rama, ka njoftuar se vitin e ardhshëm Shqipëria do të presë Samitin e Komunitetit Politik Europian.

Kreu i qeverisë shkruan se ky është një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik

Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të mikpresë Samitin e Komunitetit Politik Europian.

Këtë e bën të ditur kryeministri Edi Rama, teksa ka ndarë disa pamje nga takimi që u mbajt të enjten në Britaninë e Madhe.

Sipas kreut të qeverisë, kjo tregon pozicionin e ri që ka fituar vendi në arenën ndërkombëtare.

Postimi:

“Mirëmëngjes dhe me lajmin e bukur se Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian, si një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, thotë kryeministri.

Kujtojmë që kryeministri foli me homologun britanik Keir Starmer për çështjet e sigurisë europiane, duke përfshirë migrimin, veçanërisht zgjidhjet novatore si marrëveshja Itali-Shqipëri, së bashku me mbështetjen për Ukrainën dhe bashkëpunimin e Britanisë në Ballkanin Perëndimor.