Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e katërt që pas nisjes së sulmeve më 24 shkurt të këtij viti, bëhet me dije se një krizë e madhe ushqimore rrezikon mbarë botën.
Nisur nga kjo situatë, një pjesë e madhe e grurit ka mbetur e bllokuar në portet e Ukrainës dhe Rusia po e përdor faktin që ajo së bashku me Ukrainën janë prodhueset më të mëdha të grurit në botë, si një armë lufte.
Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov do të shkojë në Turqi më 8 qershor për të “diskutuar korridoret e sigurta” pasi ditën e hënë presidenti turk Rexhep Taiyp Erdogan kërkoi krijimin e këtyre korridorëve të sigurta për eksportin e produkteve bujqësore.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba ka deklaruar se zgjidhja më e mirë për eksportimin e grurit ukrainas është “nisja e një operacioni ndërkombëtar në Detin e Zi me ndihmën e vendeve mike të gatshme të dërgojnë anijet e tyre për të pastruar ujërat dhe për të shoqëruar kalimin e ngarkesave”.