Kontigjentët kriminalë duket se tashmë monitorojnë Shqipërinë nga veriu në jug. Prej disa ditësh policia ka nisur aksionin e koduar “Fijet” për çmontimin e kamerave të vendosura nga grupet kriminale.
Ditën e sotme, gjatë finalizimit të fazës së pestë të këtij operacioni janë sekuestruar 39 kamera në Korçë dhe Pogradec.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon zbatimi i planit operacional policor të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit.
Finalizohet në Korçë dhe Pogradec, faza e pestë e këtij plani operacional mbarëkombëtar.
Gjatë kësaj faze, Policia çmontoi në qytetin e Korçës dhe Pogradecit, 39 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin.
Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 9 shtetas, nga këta, 7 shtetas në Korçë dhe 2 shtetas në Pogradec, të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundërligjshme.
Strukturat hetimore të DVP Korçë, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, konkretisht në disa lagje të qyteteve Korçë e Pogradec, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
-Gjatë fazës së pestë të këtij plani operacional, në Korçë, në lagjet nr. 2, 4, 5, 7, si dhe në fshatin Dishnicë, Korçë, janë çmontuar 21 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit Z. M., A. Q., G. Ç., R. S., Gj. R., P. B. dhe M. D.
-Plani operacional ka vijuar në Pogradec ku u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen nr. 1, Pogradec. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim shtetasit A. B. dhe N. Ll.
Materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.
/Albeu.com.